Shqip 29. Litari i shpresës

(The Rope of Hope)

 

BISMILA-HIR RAHMA-NIR RAHIM

 

Asalamu Aliekum!

I dashur lexues. Dëshira ime e zjarrtë është që t’i bindemi plotësisht dhe pa dyshim Allahut. Le të na mbulojë mençuria dhe mëshira e Tij e ëmbël gjatë shqyrtimit të temës së sotme “Litari i shpresës”.  Cili është ky litar i shpresës?

“Një njeri në ujë”

Të gjithë kemi dëgjuar histori për ata që kanë shkuar në det me anije të  mëdha e të vogla. Ndodh shpesh që, për një arsye apo një tjetër, dikush bie nga anija, ndoshta nga një ndërrim i shpejtë i drejtimit të anijes ose një stuhi e fuqishme, e rrok papritur personin dhe ai përfundon në shkulmin e thellë të detit. Pastaj lëshohet lart thirrja… “një njeri në ujë”.  Menjëherë ata që janë në kuvertën e anijes bëjnë të pamundurën për të shpëtuar fatkeqin. Nxirren litarët dhe zakonisht në fund të litarit lidhet një mjet i cili hidhet drejt  personit fatkeq në valë. Është gjë e mirë në qoftë se personi di not por shpesh dikush tjetër rrezikon jetën dhe hidhet në det për të ndihmuar në shpëtimin e tij. Personit i hidhet litari dhe ai e pranon me mirënjohje këtë ofertë dhe kështu tërhiqet drejt sigurisë duke u kthyer përsëri në anije.

Po në të njëjtën mënyrë ky glob, në mes një grumbulli të madh prej miliona të tjerësh vetëm nga kjo galaktikë, ka devijuar nga gjithë universi i madh i krijuar nga Allahu. Adami dhe Eva u kapën në befasi në kopshtin e parajsës. Me rënien e tyre, kjo tokë, kjo pjesë e vogël e krijimit të Tij, si me thënë, ka rënë nga anija nëpërmjet mashtrimeve të shejtanit. Këtë gjë e kemi bërë me vendimet që kemi marrë dhe tani po notojmë në llumin e ligësisë në tokë dhe ndodhemi në mes të shkulmit values të errësirës duke u përpjekur me gjithë fuqinë që kemi që të përballojmë vuajtjet dhe vështirësitë, tundimet dhe shqetësimet e jetës që na rrethojnë nga çdo anë. Kujt mund t’i drejtohemi për ndihmë përpara se të fundosemi dhe të vdesim. A ka shpresë për secilin nga ne?

Kurani i Nderuar na tregon në  mënyrë shumë specifike: “Qëndroni të gjithë bashkë, duke u kapur pas litarit që Allahu (e ka hedhur për ju), dhe mos u përçani në mes jush dhe kujtoni me mirënjohje mirësinë e Allahut ndaj jush; sepse ju ishit armiq dhe Ai jua bashkoi zemrat me dashuri, që me anë të hirit të Tij, të bëheshit vëllezër; dhe ju ishit në buzë të humnerës së Zjarrit dhe Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu Allahu jua bën të qarta shenjat e tij që të udhëzoheni.   Aal-E-Imran 103  [Sura 3:103]

Sot ne jemi mirënjohës për Hirin e Allahut, Ai na shpëton nëpërmjet Hirit të tij!

Me një gjuhë të  bukur shprehet këtu se Allahu, krijuesi ynë hedh drejt nesh “litarin e shpresës”. Ne ishim armiq por me anë të Hirit mund të bëhemi vëllezër. Në inxhil ne lexojmë fjalë të njohura dhe inkurajuese të dërguara nga lart prej Allahut.

Allahu dërgon një dhuratë…

“Ai tha: ‘Jo, unë jam vetëm një lajmëtar nga Zoti yt, (për të të deklaruar) ty dhuratën e një djali të shenjtë.’”

Mejremja (19): 19

“Sepse në qoftë se, kur ishim armiq [me Perëndinë], ne u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, aq më tepër, duke qenë të pajtuar, ne do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.”

Inxhili Romakëve 5:10

“Sepse nëpërmjet hirit shpëtoheni me anë të besimit; dhe jo për shkak të vetë vetes tuaj; është dhuratë nga Perëndia”.

Inxhili Efezianëve 2:8

“Perëndia po e kthente përsëri botën te vetja nëpërmjet Krishtit [Isa al-Masih-së]. Ai nuk ua numëroi mëkatet njerëzve. Perëndia na ka besuar ne me mesazhin që njerëzit të kthehen përsëri tek ai.”

2 Korintasve 5:19 Versioni për lexuesit “New International”.

Cili është ky litar i shpresës?  Nuk është askush tjetër përveç Isa al-Masih-së i cili u lëshua nga lart për secilin nga ne.  Kjo nuk është gjë tjetër veç dhuratës nga qielli për këtë tokë. Me mirënjohje le të mbahemi fort pas këtij “litari”.

Isa al-Masih-a është litari që na u ofrua ne. Ai u hodh në ujërat e akullta të kësaj toke të mallkuar nga mëkati. Megjithëse ishte Një me Allahun (Gjoni 10:30) dhe është Fjala nga Allahu (Aal-E-Imran 39,45) megjithatë ai shijoi thellë vuajtjet që kalojmë ne. Ai mësoi fuqinë e tundimit që ne e njohim mjaft mirë. Ai u bë instrumenti i dërguar nga Allahu dhe gjithë parajsa për të na sjellë ne përsëri në një vend të sigurt. Në shtëpinë tonë të parë në Eden prindërit tanë të parë shkuan në rrugë të shtrembër dhe ne të gjithë kemi ndjekur të njëjtën rrugë. Duhej që dikush të na kthente në një vend të sigurt! Kështu Isai qe Ai i cili u fut në këtë botë mëkati dhe degradimi dhe u hodh në shkulmin e thellë për të na shpëtuar.

Shkalla nga toka në qiell!

Isai mund të krahasohet me një shkallë. Nëse duam ndonjëherë që ta arrijmë parajsën, ajo gjendet shumë lart nesh. Që të arrijmë përtej aftësive tona njerëzore, na duhet një shkallë. Kjo shkallë duhet të arrijë nga toka deri në qiell. Lexoni këtë histori të vërtetë që ka ndodhur para shumë kohësh.

Një natë të  errët u dëgjua një ulërimë nëpër rrugët e Liverpulit në Angli.  “Zjarr, zjarr!” u dëgjua thirrma. Menjëherë njerëzit filluan të grumbullohen aty afër për të parë flakët që po shpërthenin nga dritaret e poshtme të një shtëpie marinarësh të vjetër.

Ndërsa spektatorët vëzhgonin flakët e gufmuara, dikush vuri re disa burra që po përkuleshin nga dritarja në katin e fundit. Një burrë solli me shpejtësi një shkallë të gjatë dhe e mbështeti në ndërtesën që po digjej por, për fat të keq, ajo prapëseprapë qe e shkurtër.

Çfarë të bënin tani? Papritur një marinar i ri u shkëput nga turma, shkoi me nxitim drejt shkallës dhe me shpejtësi u ngjit në majë të saj. Duke e ekuilibruar veten në shkallëzën e fundit, u kap pas parmakut me duart e tij të fuqishme.  “O burra, shpejt” – thirri ai – “kacavirruni mbi trupin tim deri te shkalla dhe zbrisni poshtë tani”! Një nga një burrat nga ndërtesa në flakë kaluan mbi trupin e fuqishëm të marinarit derisa të gjithë arritën në vend të sigurt. Më së fundi, zbriti edhe vetë marinari. Fytyra e tij qe djegur, flokët i ishin përcëlluar dhe gishtërinjtë i ishin bërë tërë flluska nga zjarri. Po i shpëtoi burrat.

Shkalla arriti deri lart; por përpara se të shpëtonin burrat, nevojitej gjatësia e një  njeriu. Kur erdhi puna për shpëtimin tonë nga kjo tokë, të gjitha mjetet e parajsës dërguar poshtë për të na shpëtuar ne këtu në tokë do të kishin qenë tepër të shkurtra pa gjatësinë e një njeriu: njeriut Isa al-Masih. Në Inxhil Ai njihet si biri i njeriut. Luka 19:10: “Sepse Biri i njeriut (Isa al-Masih-a) ka ardhur për të kërkuar dhe shpëtuar atë që kishte humbur.” Mateu 20:28: “Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbehej atij, por që të shërbejë dhe të japë jetën e tij si shpengim për shumë vetë.” Mateu 24:37-39: “Por ashtu si qe në ditët e Noeut [Nuhut], ashtu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. Sepse ashtu si në ditët përpara përmbytjes, ata hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin deri në ditën kur Noeu (Nuhu) hyri në arkë dhe nuk kuptuan asgjë derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.”

Kur të kthehet, Isa al-Masih-a do të vijë si Biri i Njeriut. Zbulesa 14:14: “Pastaj pashë një re të bardhë, dhe ja, mbi re po rrinte i ulur një i ngjashëm me një Bir njeriu i cili kishte mbi krye një kurorë të artë dhe në dorë një drapër të mprehtë.”

Në të njëjtën mënyrë  lutjet tona, du’a-të tona, veprat tona të mira të bamirësisë, gjërat e mira që bëjmë mund të tregojnë qëllimet tona të mira, por ato nuk mund ta arrisin qiellin pa gjatësinë e një njeriu…dhe ky njeri është Krishti Jezus, Isa al-Masih-a. Ai është lidhja jonë me qiellin i cili u dërgua këtu poshtë për ne. Librat e Shenjtë thonë… “Krishti në ju, shpresa e lavdisë”. Inxhili, Kolosianëve 1:27

Isa al-Masih-a dhe pastërtia e tij…

Çfarë e bëri atë që të ishte kaq i veçantë? Kurani i Nderuar thotë se Ai kishte Shpirtin e Shenjtë…

“Ne i dhamë Moisiut Librin dhe vazhduam më tutje me një seri lajmëtarësh; Ne i dhamë Jezusit, birit të Marisë (shenja) të qarta dhe e fuqizuam me shpirtin e shenjtë….”  El Bekare  (2):87

“Dhe Jezusi [Isai], kur u pagëzua, doli menjëherë nga uji, dhe, ja, u hap qielli përpara tij dhe ai pa Shpirtin e Perëndisë [Ruh Allahun] që zbriti si pëllumb dhe lëshoi dritë mbi të…”  Inxhili, Mateu 3:16

Isai kishte Ruh Allahun, Shpirtin e Allahut. Ai, jo vetëm që ishte njeri, i lindur nga një grua, por ishte edhe i Shenjtë dhe i Drejtë. Të gjithë njerëzit që kanë lindur nga një grua, kanë lindur të korruptuar. Që nga mëkati i Adamit, të gjithë personat e lindur kanë lindur me një natyrë mëkatare. Me fjalë të tjera, ata kanë lindur të ndarë nga Allahu. Por kjo nuk është e vërtetë për Isa al-Masih-në. Ai lindi nga qielli. Një person mjaft i veçantë, i Shenjtë dhe i Drejtë. Asnjëri prej Librave të Shenjtë nuk paraqet asnjëherë ndonjë njeri të lindur si Ai. Në të vërtetë, ai është Adami i dytë. Për më tepër, ai është litari ynë i shpresës në këtë botë mëkatare. Me anë të pastërtisë së Tij ai zgjat dorën e tij  drejt nesh që nga Qielli sepse ai ishte njeri. Ai mund ta shtrëngojë dorën e njeriut, dhe për arsye se ishte nga Qielli, Ai mund të na ribashkojë me Qiellin. Ai u bë shpëtimtari i njerëzve. Të gjithë njerëzit që dëshirojnë mund të shpëtohen nga të ligat e kësaj toke.

I dashur mik i Allahut, do të  vijë një ditë që kjo tokë do të  përpihet nga një det flakësh, por ne nuk është e thënë që të jemi në ato flakë. Ato flakë do të përpijnë të gjithë mëkatin dhe mëkatarët që nuk e kanë kërkuar Litarin e Shpresës. Ne na jepet mundësia që t’u shpëtojmë flakëve dhe të shpëtohemi nga kjo tokë. A do ta lejosh Allahun që të të japë litarin nëpërmjet Isa al-Masih-së? A do ta kapësh me gëzim këtë litar nga Qielli?

Edhe ne mund të themi, Zot na shpëto nga vdekja…dhe Ai do ta dëgjojë zërin tonë dhe do të ketë mëshirë për ne duke na dhënë Isa-in.

“Qëndroni të gjithë bashkë, duke u kapur pas litarit që Allahu (e ka hedhur për ju).” Aal-E-Imran 103

Dhe mos e lësho kurrë …. Nuk është kurrsesi çudi që Isa al-Masih-a përmendet mbi 90 herë në Kuranin e Nderuar.

Kopjuar nga software-i (DivineIslam’s Qur’an Viewer v2.913)

Vargjet nga Bibla marrë nga versioni (King James) dhe New International Readers

Për më  tepër informacion:   http://www.salahallah.com/

Litari i shpresës

Aal-E-Imran 103

Seria nr. 29